Kima Sot

08 Feb, 2022

Ngrohja globale dhe ndryshimi i klimës që shoqëron këtë proces janë ndoshta sfida më e vështirë me të cilën njerëzimi po përballet në shekullin 21.

Ndryshimi i Klimës ka qenë i pranishëm në diskutimin publik dhe debatin në Shqipëri që prej vetëm pak vitesh, por kryesisht për shkencëtarët, rezultatet e kërkimit të të cilëve janë mjaft komplekse dhe të vështira për t’u kuptuar për shumë njerëz. Kriza klimatike nuk është pjesë e diskutimit publik dhe çështja nuk merr vëmendje të mjaftueshme në media, kjo ndoshta sepse ndikimi politik në to është i konsiderueshëm, duke bërë që çështjet klimatike të mos jenë në fokusin e medias aq sa duhet. Gjithashtu, shumicës së medias i mungojnë gazetarët profesionistë të specializuar në çështjen e klimës për të qenë në gjendje të raportojnë lajme apo informacione të rëndësishme, të bazuara në argumente shkencore dhe prova empirike.

Media masive në Shqipëri (televizioni, gazetat dhe interneti) mbeten mënyrat më të rëndësishme të komunikimit dhe burimet nga të cilat njerëzit tërheqin informacion rreth ndryshimeve klimatike. Por, studiuesit në Shqipëri i botojnë punët e tyre kryesisht në revistat shkencore tradicionale, të botuara nga Universitetet (si Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, etj). Nuk ka ndonjë platformë kombëtare specifike për të publikuar artikujt dhe puna e tyre kalon pa u vënë re nga media.

Klima.al, quajtur "Klima Sot" një platformë e krijuar së fundi, ka si mision botimin e artikujve për ndryshimet klimatike si dhe që gazetarët mund t’i përdorin ato lirisht, me qëllim që të prodhohen disa lajme të bazuara në shkencë. Këto të fundit mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në diskursin publik.