Agjenda për Barazinë Gjinore në Sektorin e UK në Shqipëri 2019-2030

28 Feb, 2020

"Barazia Gjinore" tashmë është një term i kudo gjendur dhe shpesh pjesë e shumë dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit në shumë sektorë, i përdorur për të përshkruar një sërë çështjesh, shpesh dhe në një mënyrë aspak politike. Është përdorur aq rëndom saqë kur theksohet, njerëzit kuptojnë se bëhet fjalë vetëm për nevojat e grave, dhe jo për marrëdhëniet e pabarabarta shoqërore midis grave dhe burrave në një shoqëri demokratike. 

Parë gjithmonë në këtë këndvështrim, ajo shpesh rezulton në politika, procese dhe përfaqësime institucionale më pak efektive. Prandaj sot shihet si domosdoshmëri që potenciali i ndryshimeve që lidhen me përfaqësimet e grupeve gjinore, do të duhet të ndryshohet duke sfiduar këto pabarazi, duke ndikuar në transformimin shoqëror dhe gjinor.

Ratifikimi i Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Ndaj Grave (CEDAW) në Shqipëri si dhe miratimi i ligjeve për barazinë gjinore, anti-diskriminimin dhe dhunën në familje janë dëshmi e këtij angazhimi dhe, së bashku me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, sigurojnë kuadrin për arritjen e qëllimeve kombëtare. Nëse do të fokusohemi në sektorin e ujit, në Shqipëri, gratë luajnë një rol kryesor në furnizimin, menaxhimin dhe ruajtjen e këtij burimi natyror kaq të çmuar. Roli kryesor i grave si siguruese dhe përdoruese të ujit, si dhe mbrojtja e mjedisit nuk është reflektuar shpesh në rregullimet institucionale për zhvillimin dhe menaxhimin e burimeve ujore. 

Përllogaritjet e përdorimit të ujit në familje tregon që gratë janë përgjegjëse për konsumin e 66% të sasisë totale të ujit të faturuar në muaj. Nëse këtë përqindje e shprehim me shifra, sasia mesatare e ujit e përdorur nga gratë llogaritet me 7,968 m3, kurse burrat përdorin 4032 m3 ujë nga totali prej 12 m3 ujë në muaj.

Përllogaritja është bërë duke pasur parasysh faturimin e klientëve familjarë të qytetit të Tiranës, të cilët, kanë një konsum mesatar mujor uji prej 12m3 por dhe ndikimi që kanë grupet e caktuara gjinore në aktivitetet që kryhen në shtëpi.

Megjithëse dhjetëvjeçarin e fundit, ka një zhvillim në integrimin e çështjeve gjinore në politikat dhe strategjitë e lidhura me ujërat, shumica e tyre, veçanërisht ato të hartuara dhe miratuara disa vite më parë, mbeten dokumente “të verbër” nga perspektiva gjinore. Në të dy nivelet, qendror dhe vendor, ekzistojnë burime të pamjaftueshme njerëzore në sektorin e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve për të monitoruar plotësisht përparimin drejt synimeve të përcaktuara kombëtare gjinore. Ekziston një hendek në njohuritë, identifikim dhe veprimet e ndërmarra për të adresuar perspektivën gjinore në lidhje me shërbimin e ofruar ose nevojat specifike të popullatës sipas gjinisë.

Në nivelin e Ndërmarrjeve të Ujërave, gratë përbëjnë pjesën e pakicave në mesin e të punësuarve. Stereotipi gjinor për lloje "punësh mashkullore" mbetet mbizotëruese, posaçërisht për detyra / punë specifike brenda Ndërmarrjeve Ujore siç është "Mirëmbajtja dhe Riparimi". Shumica e grave të punësuara janë të pozicionuara në pozitat e punëve administrative dhe financiare, duke treguar ndikimin e fortë të këtyre stereotipeve gjinorë në mundësitë e barabarta që u ofrohen grave në sektorin e ujit.

Puna e realizuar në tremujorin e fundit të vitit 2019 nga Qendra Burimore e Mjedisit (REC Shqipëri) në lidhje me përcaktimin e Indeksit Gjinor në Sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri dhe të dhënat e grumbulluara mbi nivelin e përfaqësimit të grupeve gjinore tregojnë pabarazi gjinore në pothuajse të gjitha nivelet, sidomos kjo e lidhur me gratë dhe vajzat. 

Organet vendimmarrëse, bordet dhe komitetet e ndryshme përbëhen kryesisht nga burra, duke i lënë gratë dhe vajzat të nën përfaqësuara ose aspak të përfaqësuara. Prandaj, nevojat e tyre specifike gjinore, si nga brenda (në mesin e punonjësve) ashtu edhe nga jashtë (në komunitet) as nuk janë identifikuar plotësisht dhe nuk diskutohen dhe as veprimet e zbatuara nuk janë efektive për të arritur objektivat e barazisë gjinore.

Përgatitja e Agjendës për barazinë gjinore në sektorin e ujësjellës kanalizimit në Shqipëri dhe plani i veprimit deri në 2030 si një qasje e ndjeshme ndaj çështjeve gjinore në menaxhimin e ujit do të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të barazisë sociale, forcimin e shpërndarjes së përfitimeve, zvogëlimin e kostove sociale, zvogëlimin e varfërisë, forcimin e menaxhimit dhe fuqizimin.

Ky dokument u përgatit nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania) në kuadër të Programit: "Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit" i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar në Shqipëri nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.