Aftësi të Gjelbra për Punë të Gjelbra

16 Jun, 2020

Qëndrueshmëria është një kombinim dhe sinergji e drejtësisë sociale, shëndetit ekologjik dhe vitalitetit ekonomik. Ky botim i përgjigjet një interesi në rritje për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe adreson çështje urgjente që përcjellin nevojën për veprim.

Pavarësisht se në dhjetëvjeçarin e fundit flitet shumë për zhvillimin e qëndrueshëm, ndihet nevoja e një kuptimi më të saktë në lidhje me vetë konceptin. Pyetje të shumta ngrihen e kërkojnë përgjigje si për shembull: Cili është thelbi i Zhvillimit të Qëndueshëm? A janë veprimet e mia të qëndrueshme? Si mund të bëhem i qëndrueshëm? A e shpëton ky lloj zhvillimi Planetin dhe a jep zgjidhje ai për të gjitha problematikat me të cilat po përballemi?

Një nga përkufizimet më të arrira për zhvillimin e qëndrueshëm është ai i formuluar nga Komisioni i Brundtlandit:” Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillim i cili plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre” (Komisioni Botëror mbi Mjedisin dhe Zhvillimin, 1987).

Zhvillimi i qëndrueshëm ka tre komponentë: mjedisin, shoqërinë dhe ekonominë. Përmbushja e këtyre tre komponentëve është e pandarë dhe bëhet në sinkron. Konsiderohet e mirëqenë ideja që: një shoqëri e shëndoshë ndërtohet mbi një mjedis të mirëadministruar, me një ekonomi referuar burimeve natyrore, nevojave dhe dëshirave të brezit, për një jetë të shëndetshme, në standardet e konfirmuara nga vetë shoqëria.

Ky manual synon t’u ofrojë të rinjve, mësuesve dhe OJF-ve që punojnë me të rinjtë, mjetet, informacionin dhe frymëzimin e nevojshëm për të zbatuar një larmi të gjerë të praktikave të qëndrueshme, të cilat duhet të jenë pjesë e përditshmërisë së jetës tonë.

Mbi të gjitha, të rinjtë kanë fuqi të pashfrytëzuara për të frymëzuar komunitetet, duke luajtur rolin e shembullit model që ndihmon në transformimin e qëndrueshmërisë në një realitet të prekshëm nga të gjithë.

Ky manual ju ofron dhe një përmbledhje faktesh dhe të dhënash nga studime shkencore por dhe shumë këshilla praktike që vijnë nga mençuria popullore.

Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania) ju nxit ta ndani këtë botim me shokët dhe miqtë tuaj por dhe mësuesit në mënyrë që këto njohuri të dobishme dhe të vlefshme të qarkullojnë dhe të bëhen pjesë e kulturës tonë personale.

Manualin e plotë mund ta shkarkoni këtu: Aftësi të Gjelbra për Punë të Gjelbra