Ekonomia e Gjelbër dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm

30 Jun, 2020

Për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekzistojnë qasje, këndvështrime, modele dhe mjete të ndryshme në dispozicion për çdo vend, në përputhje me rrethanat dhe prioritetet kombëtare. Në këtë kuptim, ekonomia e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhdukjes së varfërisë konsiderohet si një nga mjetet e rëndësishëm për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, e cila mund të ofrojë mundësi praktike dhe reale sidomos nëse mbështetet nga politikat e duhura kombëtare.

Politikat për ekonominë e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të udhëhiqen dhe të jenë në përputhje me Agjendën 2030 dhe të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Në këtë kuptim, politikat e ekonomisë së gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm, duhet:

(a)Të jenë në përputhje me ligjet ndërkombëtare;

(b)Të respektojnë sovranitetin e çdo shteti mbi burimet e tij natyrore duke marrë parasysh rrethanat kombëtare, objektivat, përgjegjësitë, prioritetet dhe hapësirat e politikave e tij, në lidhje me tre dimensionet e zhvillimit të qëndrueshëm.

(c)Të mbështeten nga një mjedis i aftë dhe institucione me funksionim të mirë në të gjitha nivelet me një rol udhëheqës për qeveritë dhe me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve përkatës, përfshirë këtu shoqërinë civile.

(d) Të promovojë rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, nxitje të inovacionit dhe sigurimin e mundësive, përfitimeve dhe fuqizimin për të gjithë dhe respektimin e të gjitha të drejtave të njeriut.

(e) Të merren në konsideratë nevojat e vendeve në zhvillim, veçanërisht ata në situata të veçanta.

(f) Të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë sigurimin e burimeve financiare, krijimin e kapaciteteve dhe transferimin e teknologjisë në vendet në zhvillim;

(i) Të kontribuojnë në zvogëlimin e boshllëqeve teknologjike midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim dhe të zvogëlojë varësinë teknologjike të vendeve në zhvillim duke përdorur të gjitha masat e duhura;

(j) Të përmirësojnë mirëqenien e komuniteteve vendase dhe tradicionale dhe pakicat etnike, duke njohur dhe mbështetur identitetin, kulturën dhe interesat e tyre, dhe të shmanget rrezikimi i trashëgimisë së tyre kulturore, praktikat dhe njohuritë tradicionale;

(k) Të përmirësojnë mirëqenien e grave, fëmijëve, të rinjve, personave me aftësi të kufizuara, pronarëve të fermave të vogla dhe fermave familjare, peshkatarëve dhe atyre që punojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme;

(l) Të mobilizojnë potencialin e plotë dhe të sigurojnë kontributin e barabartë të grave dhe burrave;

(m) Të promovohen aktivitete produktive në vendet në zhvillim që kontribuojnë në zhdukjen e varfërisë;

(n) Të adresohen problematikat që lidhen me varfërinë dhe të nxitet gjithëpërfshirja sociale;

(o) Të nxitet konsumi i qëndrueshëm dhe qasje të qëndrueshme të prodhimit.

Ekonomia e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm mund të forcojë aftësinë tonë për të menaxhuar burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme dhe me ndikime të ulëta mjedisore, të rrisë efikasitetin e burimeve dhe të zvogëlojë mbetjet.

Është e rëndësishme nxitja e secilit vend që të konsiderojë zbatimin e politikave të ekonomisë së gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm, në një mënyrë që përpiqet të nxisë një zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të barabartë nga aspekti ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe shtresën më të varfër të popullsisë. Në këtë drejtim, duhet theksuar rëndësia e formimit të profesionistëve të rinj të pajisur me aftësitë e nevojshme për zhvillimin e kësaj ekonomie. Në këtë proces, një rëndësi të madhe merr përfshirja e arsimit në edukimin e brezit të ri me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.

Përfshirja e të gjithë aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, rrjetëzimi dhe shkëmbimi i përvojave në të gjitha nivelet mund të ndihmojnë vendet të mësojnë nga njëri-tjetri në identifikimin e politikave të përshtatshme të zhvillimit të qëndrueshëm, përfshirë politikat e ekonomisë së gjelbër.

Për versionin elektronik të këtij publikimi, ju lutem klikoni këtu: Ekonomia e Gjelbër dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm