Ne dhe klima - Udhëzues për familjen dhe komunitetin mbi ndryshimet klimatike

29 Mar, 2021

Ndryshimi i klimës është pa dyshim sfida më e madhe e kohës sonë.

Aktiviteti njerëzor e ka ngrohur klimën e planetit me 1ºC krahasuar kjo me kohët para-industriale. Ndërkaq, ne vazhdojmë të djegim qymyr, naftë dhe gaz. Shkencëtarët kanë vërtetuar se planeti do të arrijë të ngrohet me 2ºC deri në vitin 2050, një pikë kthese e rrezikshme, pasojat e të cilës nuk mund të parashikohen dhe ndoshta as nuk mund të ndalen me një “vaksinë klimatike”. Mund të themi që bota sot është bërë më e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike. Edukimi për ndryshimet klimatike është një nga mjetet me kontribut të rëndësishëm në këtë përballje. Edukimi ndihmon individët dhe shoqëritë të marrin vendime të përgjegjshme për të cilat janë të informuar. Pa u informuar dhe kuptuar shkencërisht shkaqet dhe efektet e ndryshimeve klimatike, është e vështirë të ndihmojmë komunitetet e cënueshme ose të rrisim aftësinë ripërtëritëse të ekosistemeve të ndikuara nga ndryshimet klimatike. Nga ana tjetër, informacioni është shumë i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm për të përgatitur shoqërinë për sfidat e ndryshimeve klimatike.

Ky manual i përgatitur nga REC Shqipëri, ka si qëllim që të paraqesë një kuptim shkencor, por të thjeshtuar të sistemit të klimës, të japë përgjigje mbi pyetjet pse sistemi i klimës po ndryshon dhe cili është roli ynë në zgjidhjen e kësaj sfide.

Manuali është i organizuar në katër pjesë:

Pjesa e parë na ndihmon të kuptojmë ndryshimet klimatike. Pjesa e dytë kërkon të na njohë me panoramën e pasojave që sjell ndryshimi i klimës. Në pjesën e tretë është shumë e rëndësishme të vlerësojmë rolin tonë si qytetar në zgjidhjen e çështjes së klimës, dhe sigurisht në fund janë disa sugjerime për të diskutuar me fëmijët mbi ndryshimet klimatike, sepse ata kanë filluar të pyesin.

Për të shkarkuar materialin, ju lutem klikoni këtu: Udhëzues për familjen dhe komunitetin mbi ndryshimet klimatike