"Pasqyra e Krimit Mjedisor" Prill 2021

30 Apr, 2021

Ky botim elektronik përmban raste të krimit mjedisor të raportuara nga mediat dhe shoqatat mjedisore dhe zhvillime rreth kësaj problematike në vendin tonë. Ai është krijuar nga organizata mjedisore dhe anëtarë të grupit këshillues mbi krimin mjedisor në Shqipëri si një instrument për të grumbulluar dhe komunikuar raste specike të krimit mjedisor në ndihmë të autoriteteve ligjzbatuese. 

Gjurmët e krimit mjedisor janë të dukshme në vend. Po ashtu për fat të keq, nuk ka të dhëna të sakta dhe gjithëpërfshirëse. Vendit ende i mungon një sistem i unifikuar raportimi, parandalimi dhe ndjekje e krimeve të tilla.

Vendosja e moratoriumit për 7 vite ka qënë një domosdoshmëri në krijimin e rendit për gjuetarët e paligjshëm, ku objektivi kryesor shoqërohet me një sërë masash adekuate për ndalim e këtij krimi mjedisor duke krijuar qetësinë e nevojshme. Rrjedhimisht lind pyetja nëse ka akoma mangësi në funksionimin e këtij ligji? A ka raste të denoncuara? Gjatë këtyre viteve, a është ndaluar gjuetia me qëllim për të rimëkëmbur popullatat e faunës, dhe  sa ka funksionuar kjo? A është kryer iventarizimi i faunës? Këto dhe shumë raste të tjera të krimit mjedisor në Shqipëri, i gjeni të botuar në këtë artikull.

Ne gjithashtu dimë se vendi mbetet i prekur nga krimi mjedisor, i cili është nganjëherë shumë i organizuar dhe i sofistikuar, dhe për ta luftuar këtë krim nevojiten burime, bashkëpunim institucional, ndryshime legjislative dhe bashkëpunim me shoqërinë civile dhe aktivistët e mjedisit. 

Duke bashkuar ekspertizën e tyre, shoqëria civile, akademikët dhe media bëhen një faktor i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin në të gjitha nivelet, dhe për të ndihmuar në rritjen e eficiencës së punës së institucioneve për adresimin e këtyre veprave penale. 

Në këtë kontekst, REC Shqipëri dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kanë marrë nismën për publikimin e një botimi të titulluar "Pasqyra e Krimit Mjedisor" me kontributin e të gjithë anëtarëve të Grupit Këshillimor për Krimin Mjedisor, si një kontribut të dobishëm për të forcuar bashkëpunimin shumë të nevojshëm midis të gjithë aktorëve të shoqërisë civile.

Shpresojmë që çështjet e përfshira në këtë botim dhe ato që do të pasojnë përgjatë vitit të ofrojnë rekomandime, praktika të mira, raste studimi dhe informacione të rëndësishme, për të ndihmuar agjencitë përkatëse të realizojnë vendimmarrje të informuar dhe të bazuar në prova.

Për të shkarkuar versionin elektronik të gazetës, ju lutem klikoni këtu: Pasqyra e Krimit Mjedisor, Prill 2021