MONITORIMI I STRATEGJISË KOMBËTARE PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE, 2020 – 2030 PËR 2019 - 2021

24 Jan, 2022

Strategjia Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe Plani i Veprimit (SKNK) është dokumenti kryesor strategjik që adreson ndryshimet klimatike në Shqipëri. Strategjia është miratuar nga Qeveria e Shqipërisë në vitin 2019 dhe është hartuar në mbështetje të legjislacionit të BE për mjedisin dhe klimën dhe synon fuqizimin e koordinimit mes sektorëve lidhur me masat e përshtatjes, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Fokusi i SKNK është zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri.

Shqipëria mori statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian në Qershor 2014. Procesi i pranimit të Shqipërisë në BE është një forcë shtytëse për reformimin e sektorit të mjedisit dhe koordinimin ndër sektorial të nevojshëm ndaj përshtatjes me ndryshimet klimatike. Integrimi nënkupton bashkëpunim të ngushtë me rregulloret e BE -së.

Ky raport i parë monitorues mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike 2020-2030, bazohet në monitorimin e treguesve të lidhur me disponueshmërinë e 'inputeve' për ndryshimet klimatike, duke qenë se Shqipëria është një vend me një ekonomi në zhvillim që karakterizohet nga një tranzicion i gjatë. Për rrjedhojë i ka të rëndësishme financat, legjislacionin dhe zhvillimin institucional, të cilët konsiderohen faktorë mundësues në reagimin e vendit ndaj ndryshimeve klimatike. Është gjithashtu me rëndësi të mbahet ne konsideratë se miratimi i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimin e Klimës nga Qeveria e Shqipërisë është relativisht i zhvillimit të vonë (korrik 2019), nga ku progresi gjatë periudhës 2019-2021 është ndikuar nga dy faktorë me një ndikim të rëndësishëm:

- Tërmeti që goditi vendin në Nëntor 2019

- Mbyllja e vendit për shkak të pandemisë që shkaktoi COVID 19

Objektivat kryesore të këtij raporti monitorues janë:

• T'u sigurojë vendimmarrësve një kuadër informacioni që përmirëson procesin e vendimmarrjes drejt ndryshimit të klimës;

• Të rrisë njohuritë midis aktorëve të shoqërisë civile mbi përparimin e zbatimit të strategjisë;

• Të nxisë pjesëmarrjen dhe veprimin e OShCve në proceset e vendimmarrjes për klimën.

Nuk është e qartë se çfarë mekanizmi është përdorur në alokimin e buxheteve të strategjisë në sektorët e përfshirë, apo si janë bërë shpenzimet për këto fonde. Për shkak të mos disponueshmërisë së një informacioni të tillë, QBM analizoi PBA-të e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për periudhën 2019-2021. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimin e Klimës shihet i lidhur me miratimin e një Politike për Zhvillimin e Kapaciteteve që rrjedh nga Strategjia Kombëtare për Ndryshimin e Klimës për të krijuar më shumë hapësirë veprimi për sektorët e përfshirë në qeverisje, institucione për të bashkëvepruar dhe koordinuar, dhe për vendin në Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Pengesa kryesore për mbështetjen e kufizuar të përshtatjes nga institucionet publike dhe paaftësia e tyre për të luajtur një rol më të mirë në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, lidhen me boshllëqet në menaxhim, mungesën e burimeve financiare dhe fizike dhe mungesën ose trajnimin e pamjaftueshëm.

Për të shkarkuar versionin elektronik të raportit, ju lutem klikoni këtu: 

Ky raport botohet nga Qendra burimore e Mjedisit në Shqipëri (www.recshqiperi.org) me mbështetjen e Fondacioni Westminster për Demokraci, Zyra në Shqipëri (www.wfd.org) si pjesë e përfshirjes në Programin e Pjesëmarrjes së OSHC-ve në Vendimmarrje.