Deklaratë: Integrimi Gjinor në Çështjet e Mjedisit
23 May, 2023

Ne, përfaqësuese dhe përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe institucioneve akademike kërkimore që kontribuojnë në fushën e integrimit gjinor në çështjet mjedisore, u mblodhëm më 23 maj 2023, në Tiranë në “Forumin për Integrimin Gjinor në Çështjet e Mjedisit 2023”, ku diskutuam mbi ndërveprimin gjinor dhe mjedisor, si detyrim transformues për politikat e vendit; zhvillimin e politikave kombëtare mjedisore që adresojnë shfrytëzimin e burimeve natyrore edhe nën perspektivën gjinore dhe atë të grupeve më të cënuara; fuqizimin e grave, sidomos të zonave rurale si mjet për zvogëlimin e pabarazive; perceptimin gjinor mbi çështjet mjedisore ndërmjet OSHC-ve, etj. Integrimi gjinor, si një qasje ndaj politikëbërjes, që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e grave dhe burrave, po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në kontekstin e ndikimit të ndotjes, zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë, menaxhimit të burimeve natyrore dhe zhvillimit rural. Në Shqipëri, ka pasur përpjekje për të adresuar sfidat e lidhura me gjininë në këto fusha, por duhet bërë më shumë për të siguruar pjesëmarrjen dhe udhëheqjen aktive të grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse, zhvilluese, menaxhuese dhe zbatuese, në secilën prej tyre.
- Dimensioni gjinor në politikat mjedisore
Kuadri ligjor mjedisor shqiptar ka kaluar nëpër një proçes plotësimi dhe zhvillimi mjaft dinamik, ende larg të qenit i plotë dhe në përputhje me acquis communaitare të Bashkimit Evropian. Ndonëse dokumentet politike dhe strategjitë mjedisore kanë në fokus ndikimin mbi njerëzit, ato mbeten të pandjeshme në aspektin gjinor, duke vlerësuar ndikimin e ndotjes apo të dëmtimit të mjedisit për të gjithë popullatën, pa marrë parasysh specifikat e grupeve të ndryshme të popullsisë. Strategji kombëtare të tilla si ajo për Ndryshimet Klimatike, Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, Biodiversitetin, Energjinë, etj., nuk përmendin ndikimet specifike mbi grupet e ndryshme të popullsisë, gratë dhe vajzat, të rejat dhe të rinjtë, të moshuarat dhe moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, etj., e aq më pak përkatësinë e shumëfishtë (ndërseksionalitetin) mes këtyre grupeve. Ato nuk kanë tregues gjinorë për matjen e ndikimit të masave të parashikuara.
Nga ana tjetër, kuadri i politikave dhe strategjive që synojnë barazinë gjinore është plotësuar me tregues mjedisorë të qartë, kryesisht të fokusuar në ndikimin e ndryshimeve klimatike, rreziqet ndaj fatkeqësive natyrore, aksesin në burimet natyrore, etj. Mungesa e të dhënave të ndara sipas seksit dhe statistikave gjinore shpesh e bën raportimin në forumet ndërkombëtare, për progresin e vendit dhe arritjen e objektivave të
kësaj fushe, të vështirë dhe jo të plotë. Proçesi i integrimit evropian dhe çelja e negociatave për Kapitullin 27, “Klima dhe Mjedisi” do të shtojë me tej nevojën për vlerësimin e ndikimit të politikave mjedisore në arritjen e barazisë gjinore, për të gjitha fushat e mjedisit. Kapacitetet e kufizuara dhe të pakualifikuara të institucioneve përgjegjëse, në analizën dhe përcaktimin e ndikimit të dimensionit gjinor, krahas stereotipeve gjinore, pabarazive dhe diskriminimit gjinor e të shumëfishtë në shoqërinë shqiptare, vështirësojnë integrimin gjinor në politikat dhe programet për mjedisin.
Proçesi i integrimit evropian dhe çelja e negociatave për Kapitullin 27, “Klima dhe Mjedisi” do të shtojë me tej nevojën për vlerësimin e ndikimit të politikave mjedisore në arritjen e barazisë gjinore, për të gjitha fushat
e mjedisit. Kapacitetet e kufizuara dhe të pakualifikuara të institucioneve përgjegjëse, në analizën dhe përcaktimin e ndikimit të dimensionit gjinor, krahas stereotipeve gjinore, pabarazive dhe diskriminimit gjinor e të shumëfishtë në shoqërinë shqiptare, vështirësojnë integrimin gjinor në politikat dhe programet për mjedisin.
- Menaxhimi i Burimeve Natyrore
Menaxhimi i burimeve natyrore është një fushë ku integrimi gjinor është kyç për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të minimizuar shfrytëzimin pa kriter të burimeve. Në vendin tonë ka pasur përpjekjepër të adresuar sfidat e lidhura me integrimin gjinor (e në veçanti të treguesve gjinorë) në menaxhimin e burimeve natyrore, edhe pse pjesëmarrja e grave në proceset planifikuese, hartuese dhe ekzekutive mbetet ende në një shkallë të ulët. Sipas një studimi të kryer nga NEXUS me mbështetjen e UNECE-s, gratë shpesh përjashtohen nga proçeset vendimmarrëse, që lidhen me menaxhimin e burimeve natyrore, gjë që rezulton në mungesën e vlerësimit të nevojave dhe prioriteteve të tyre specifike. Në Shqipëri, OSHC-të që mbështesin fuqizimin e grave dhe të drejtat e tyre, vënë në dukje se gratë dhe vajzat mund të përballen me pengesa të mëdha në aksesin e
burimeve dhe informacionit, përsa i përket menaxhimit të burimeve natyrore, për shkak të normave sociale dhe kulturore, si dhe stereotipeve gjinore të lidhura me pronën, punësimin apo përfshirjen në vendimmarrjet
në nivel komuniteti.
Ndër sfidat e lidhura me pabarazitë gjinore, më të rëndësishmet janë ato që prekin pronësinë e tokës dhe aksesin në burime natyrore. Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), gratë, e veçanërisht ato banuese në zonat rurale në Shqipëri, shpesh janë të pafavorizuara ose përjashtohen nga të drejtat e pronësisë së tokës dhe trashëgimisë, gjë që mund të kufizojë aftësinë e tyre për të marrë pjesë në menaxhimin e burimeve natyrore dhe aktivitete të tjera ekonomike. Në adresimin e këtyre sfidave, janë bërë disa përpjekje për të promovuar menaxhimin me ndjeshmëri gjinore të burimeve natyrore, në Shqipëri. Shumë organizata të shoqërisë civile dhe programe të mbështetjes së huaj kanë zhvilluar politika dhe programe, që synojnë promovimin e pjesëmarrjes së grave në proçeset vendimmarrëse për menaxhimin e burimeve natyrore. Ato kanë qenë aktive në promovimin e qasjeve të përgjigjshme gjinore.
- Zhvillimi Rural dhe Sipërmarrjet e Gjelbra
Zhvillimi rural dhe sipërmarrjet e gjelbra janë fusha ku përfshirja e perspektivës gjinore është kritike për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe uljen e varfërisë. Në Shqipëri, gratë përballen me sfida unike
në aksesin e burimeve dhe mundësive që lidhen me zhvillimin rural dhe sipërmarrjet e gjelbra. Sipas një studimi të kryer nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), gratë në Shqipëri shpesh përjashtohen nga proçeset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me zhvillimin rural dhe kanë më pak gjasa të kenë akses në instrumente financiare. Për më tepër, gratë mund të përballen me barriera më të mëdha përsa i përket aksesit në trajnime dhe informacion, që kanë në fokus sipërmarrjet e gjelbra dhe bujqësinë e qëndrueshme.
Ndonëse gratë janë të angazhuara maksimalisht në bujqësi, në kujdesin për tokën dhe produktet, ato përjashtohen thuajse tërësisht nga zotërimi dhe vendimmarrja (rëndom konsiderohen si “gratë e fermerëve”, e jo si “gra fermere”!). Edhe në ato pak raste kur i shohim si drejtuese të fermave, kjo përgjithësisht si rrjedhojë e mungesës së bashkëshortëve (kur largohen për arsye emigrimi, apo ndërrojnë jetë), ky pozicion drejtues i tyre mbetet i përkohshëm (derisa të rriten fëmijët - djem), gjithashtu edhe jo tërësisht i njohur në aspektin ligjor (pasi janë të pakta rastet, kur ndiqet proçesi i marrjes së dëshmisë së trashëgimisë, apo lejes së përdorimit të tokës në emër të grave). Gjithashtu, njohuritë shkencore të grave në drejtim të kultivimit të produkteve, përdorimit të pajisjeve të reja, etj., ende mbeten në nivele të ulëta, apo nuk merren në konsideratë sa duhet. Vështirësitë ekonomike që i shoqërojnë në masë gratë fermere, së bashku me diskriminimin gjinor të shumëfishtë, bëhen shpesh pengesa të mëdha në aplikimin e metodave bashkëkohore dhe efiçente të menaxhimit të tokës, ujit për vaditje, etj.
- Energjia dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme
Në përgjithësi, ekzistojnë shumë pak të dhëna kur bëhet fjalë për integrimin gjinor në politikat dhe legjislacionin për energjinë. Përfshirja e këndvështrimit gjinor në kuadrin e energjisë, efiçencës energjitike, varfërisë energjitike është ende në fazat fillestare. Gjithashtu, trajtimi i varfërisë energjitike në politikat dhe legjislacionin shëndetësor, ekonomik dhe të mirëqenies sociale, si dhe lidhja e saj me barazinë gjinore mungon. Mungesa e fokusit në varfërinë gjinore dhe energjitike, duke përfshirë dhe korrelacionin ndërmjet tyre në politika dhe veprime përkatëse (që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, ndryshimet klimatike, energjinë, shëndetin dhe mirëqenien sociale) duket të jetë pasojë e mungesës së njohurive dhe ndoshta e të kuptuarit të ndërlidhjes së barazisë gjinore me varfërinë energjetike.
Diskutimet gjithnjë e më pranishme për përdorimin e burimeve alternative të energjisë, apo energjisë së rinovueshme gjithashtu janë thuajse të verbëra nga këndvështrimi gjinor. Për rrjedhojë aksesi i grave fermere në aplikimin e burimeve alternative, si për shembull përdorimi i energjisë diellore, aplikimi i fermave voltaike, paneleve diellore të lëvizshme për vaditje, etj., bëhet tërësisht i pamundur, kjo edhe si pasojë e feminizimit të varfërisë. Ndërkohë që jo në pak raste, janë gratë dhe fëmijët ato që përfshihen në proceset e vaditjes së tokave në orët e vona të natës, në mungesë të plotë të ndriçimit të rrugëve dhe parcelave të mbjella, çka rrit rrezikun e sigurisë së tyre në hapësirat publike.
- Zvogëlimi i riskut nga fatkeqësitë (ZRF)
Fatkeqësitë përbëjnë një kërcënim serioz për Shqipërinë, veçanërisht parë nën ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe pasojave që gjeneron në cënueshmërinë e vendit ndaj rreziqeve natyrore. Ndërkohë që ka pasur përpjekje për të adresuar sfidat e lidhura me gjininë në ZRF, gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa unike në menaxhimin dhe reagimin ndaj riskut të fatkeqësive. Vlerësojmë progresin e bërë gjatë vitit të fundit për të adresuar sfidat e lidhura me gjininë në kontekstin e ZRF-së në Shqipëri.
Për më tepër, gratë dhe vajzat në Shqipëri janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga fatkeqësitë për shkak të faktorëve socialë dhe ekonomikë. Gratë kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri, kanë akses të kufizuar në burime dhe informacione, dhe kanë më shumë gjasa të jenë në kushte jetese të cënueshme, si vendbanimet informale ose zonat e largëta rurale. Si rezultat, gratë dhe vajzat mund të përballen me pengesa më të mëdha për të aksesuar shërbimet dhe burimet kritike për jetën, pas një fatkeqësie.
REC Shqipëri ka qenë e përfshirë në mënyrë intensive në procesin shqyrtues të fazës përgatitore dhe konsultative të Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (SKZRF 2023-2030), e cila u miratua më datë 25 shkurt 2023. Me mbështetjen e zyrës kombëtare të UN Women dhe të SIDA-s, REC Shqipëri u angazhua në këtë proces, që në fillim të tij me veprimtari në nivel vendor me gra, vajza, të reja e të rinj dhe përfaqësuese/përfaqësues të tjerë të grupeve të cënueshme, me synim përfshirjen e konsideratave gjinore në planet kombëtare dhe vendore të ZRF-së.
Në funksion të tematikave të trajtuara në Forumin Kombëtar, u konkludua se gratë dhe vajzat në Shqipëri përballen me sfida të lidhura me pabarazitë, stereotipet gjinore, si dhe diskriminimin gjinor e të shumëfishtë, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e shoqërisë, rritjen e sigurisë dhe mundësive për punësimin, edukimin dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe vendor. Për të përmirësuar këtë situatë dhe duke synuar përparimin drejt barazisë gjinore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një shoqërie të drejtë, rekomandohet si në vijim:
1- Rishikimi i dokumenteve strategjike mjedisore duhet të bëhet përmes lenteve gjinore, me kujdes të veçantë vlerësimin e shkallës së pabarazive gjinore në çdo fushë të mjedisit, qoftë në aspektin e menaxhimit të burimeve, të ndikimit të problemeve mjedisore mbi grupet e cënuara të shoqërisë në nivel kombëtar dhe të komuniteteve të veçanta. Ky vlerësim i kujdesshëm duhet të prekë edhe fushën e edukimit dhe kualifikimit të burimeve njerëzore, që ushtrojnë rol në administrimin e burimeve - në të gjitha nivelet e qeverisjes.
2- Përcaktimi i treguesve të qartë gjinorë në Planet e Veprimit për zbatimin e strategjive, programeve dhe projekteve të ndryshme mjedisore duhet të jetë i gjithëkuptimtë dhe i lidhur organikisht me planin e monitorimit të tyre. Ata duhet të synojnë zvogëlimin e pabarazive gjinore, jo vetëm në nivelin sasior, përmes përfshirjes së më shumë grave dhe vajzave, por edhe në nivelin cilësor, ku ndikimi duhet të sjellë përmirësim real të gjendjes së tyre, sipas nevojave specifike e përkatësisë së shumëfishtë të këtyre grupeve.
3- Adresimi i pabarazive gjinore në menaxhimin e burimeve natyrore është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Promovimi i të drejtave të barabarta, pjesëmarrjes dhe fuqisë vendimmarrëse të grave mund të çojë në një qeverisje më gjithëpërfshirëse dhe efektive të burimeve. Ai gjithashtu mund të rrisë qëndrueshmërinë e komuniteteve dhe ekosistemeve përmes shfrytëzimit të njohurive, aftësive dhe perspektivave të grave në përdorimin dhe ruajtjen e kapitalit natyror.
4- Mbajtja në konsideratë e lidhjes së kapitalit natyror me pavarësinë ekonomike, çka mund të ndikojë aspektet e sipërmarrjes së lidhur me zhvillimin rural dhe bizneset e gjelbra. Gratë në zonat rurale shpesh nuk kanë akses në arsim dhe trajnime për aftësi, gjë e cila vështirëson përfshirjen e tyre në sipërmarrjet e gjelbra dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron ekonomia e gjelbër. Ndaj duhet të shtohen përpjekjet për zbatimin e duhur në praktikë të të drejtave pronësore të grave rurale, si dhe të ofrimit të mundësive për arsimin dhe kualifikimin e duhur të tyre, me qëllim që të mund të përfshihen dhe kontribuojnë në ekonominë mjedisore. Zbatimi në praktikë i të drejtave pronësore të grave dhe harmonizimi i burimeve kërkon një bashkëkoordinim të specialisteve/specialistëve dhe eksperteve/ekspertëve mjedisorë e gjinorë, si brenda edhe ndërmjet institucioneve, OJF-ve, e organizatave ndërkombëtare.
5- Analiza me ndjeshmëri gjinore e procesit të menaxhimit të mbetjeve, ku gratë dhe vajzat shpesh janë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve shtëpiake, çka mund të shoqërohet me implikime të tjera, për shembull roli i tyre edukues dhe ndërgjegjësues për anëtarët e tjerë të familjes. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, për sa i përket jo vetëm elementëve që lidhen me standardet e higjienës, por edhe për zvogëlimin përmes ripërdorimit dhe ndarjen në burim të mbetjeve për riciklimin e tyre. Përfshirja e grave në proçeset vendimmarrëse të lidhura me menaxhimin e mbetjeve, rrit aftësinë e tyre për të ndikuar në politikat dhe praktikat që prekin komunitetet vendore.
6- Njohja më e thelluar e ndikimit të ndryshimeve klimatike, për të gjitha grupet në shoqëri, do të ndihmojë për të zhvilluar plane përshtatëse më efektive dhe për të pasur komunitete që përballojnë më lehtë rreziqet nga këto ngjarje dhe fatkeqësi natyrore. Gratë dhe vajzat, nga të gjitha grupet, shpesh preken në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, për shkak të roleve dhe përgjegjësive të tyre shoqërore, të ndërtuara dhe konsoliduara, të cilat shpesh mbarten pa u përshtatur apo evoluar sipas sfidave të zhvillimit të tanishëm. Ato kanë më pak akses në burime dhe fuqi vendimmarrëse, duke e bërë të vështirë përgatitjen, reagimin dhe rimëkëmbjen ndaj fatkeqësive. Prandaj dhe planet vendore e kombëtare duhet të përgatiten e zbatohen duke reflektuar qartësisht fuqizimin e grave dhe grupeve të cënueshme, për të përballuar efektivisht riskun nga fatkeqësitë natyrore.
7- Mbledhja, analiza dhe përdorimi i vazhdueshëm i të dhënave të ndara sipas seksit dhe statistikave gjinore, si dhe i treguesve të ndjeshëm gjinorë në të gjitha dokumentet dhe ndërhyrjet për çështjet mjedisore, siguron jo vetëm matjen e duhur të progresit, por edhe mundëson adresimin me efektivitet të problemeve dhe sfidave që ndeshen në këtë drejtim, duke krijuar kushtet e përshtatshme për një zhvillim të qëndrueshëm.
8- Organizimi i debateve publike në lidhje me varfërinë energjitike dhe ndërlidhjen e saj me gjininë dhe përkatësinë e shumëfishtë (ndërseksionalitetin). Kjo do të mundësojë jo vetëm rritjen e ndërgjegjësimit dhe informacionit, por edhe do të lehtësojë formulimin e përkufizimit të plotë dhe me lente gjinore të konceptit varfëri energjitike (sikurse kërkohet në Planin Kombëtar të Klimës dhe Energjisë), si dhe zhvillimin e perspektivës ndërsektoriale. Nevojitet integrim i kostove dhe buxheteve të specifikuara, për të gjitha dimensionet e aktiviteteve në fushën e sigurisë energjitike. Ky element duhet të merret në konsideratë gjatë proçesit të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, si në nivel vendor dhe atë kombëtar. Gjithashtu, diskutimet gjithnjë e më të shumta të përdorimit të burimeve alternative të energjisë dhe zbatimit të legjislacionit e politikave në këtë drejtim, duhet të marrin në konsideratë domosdoshmërisht dimensionin gjinor dhe ndikimin e përkatësisë së shumëfishtë, si dhe duhet të zbatohen duke u mundësuar akses të plotë e të drejtë, grave nga të gjitha grupet në shoqëri.
9- Dhënia përparësi përfshirjes së grave dhe vajzave, nga të gjitha grupet në shoqëri, në proçeset vendimmarrëse të lidhura me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, menaxhimin e burimeve natyrore, zhvillimin rural dhe sipërmarrjen e gjelbër, si dhe menaxhimin e mbetjeve, merr rëndësi të veçantë jo vetëm për adresimin e sfidave të sipërpërmendura, por edhe për përparimin me hapat e domosdoshëm që duhet të ndërmarrim për integrimin e Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm .
10- Harmonizimi i burimeve, veprimeve, ndërhyrjeve dhe politikave gjinore e mjedisore brenda vetë institucioneve publike e jopublike, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, është një tjetër hap i rëndësishëm që do të lehtësojë zhvillimin në mënyrën e duhur të të gjitha rekomandimeve të sipërpërmendura.
Politikat miqësore me mjedisin që garantojnë të drejtën e qytetareve dhe qytetarëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, arrihen përmes integrimit të politikave dhe programeve që promovojnë barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe ngritjen e kapaciteteve për gratë dhe vajzat nga të gjitha grupet në shoqëri, duke luftuar diskriminimin dhe disavantazhimin e shumëfishtë.
Për më tepër, është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi dhe të promovohet edukimi për çështjet që lidhen me gjininë dhe përkatësinë e shumëfishtë, për të siguruar që gratë dhe vajzat nga të gjitha grupet, të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike dhe përfituar nga mundësitë që krijojnë programet për ekonominë e gjelbër.
Kjo deklaratë mbështetet dhe konfirmohet nga:
1. Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Shqipëri)
2. Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-Plan)
3. Shoqata Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (COSV)
4. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
5. Shoqata “Delfini” Dibër
6. Shoqata “Unë, Gruaja”, Pogradec
7. Shoqata “Udhëtimi i Lirë”, Durrës
8. AlbContact Center
9. Klubi Ekologjik Elbasan
10. Organizata Hollandeze për Lidhjen Ndërmjet Njerëzve dhe Vlerave të Natyrës (CNVP)
11. Milieukontakt Shqipëri
12. Organizata Italiane e Vullnetarizmit Ndërkombëtar për Zhvillim (VIS Albania)
13. Komiteti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Popujve (CISP Shqipëri)
14. Qendra Shqiptare për Qeverisjen Mjedisore (ACEG)
15. Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci” (HRDC)
16. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners Albania)
17. Shoqata e Bashkuar Agro - Mjedisore (Agri-EN)
18. Instituti për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri (INLSH)
19. Shoqata “Pylli i Blertë”, Pogradec
20. Shoqata “Korça Alpin”
21. Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)
22. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
23. World Vision Albania
24. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
25. Ilir Zgjani (Koordinator LAG, Pogradec)
26. Luka Grabocka (Përfaqësues Shoqata “Korça Alpin”)
27. Meme Xhaferaj (Shërbimi Social, Bashkia Durrës)
28. Elona Dhëmbo (Eksperte)
29. Monika Kocaqi (Eksperte Gjinore)
30. Rudina Basha (NJVKSH Tiranë)
31. Klea Maliqi (Eksperte e Pavarur)
32. Denada Prenga (Studente)
33. Donila Pipo (Juriste)