Raporti i Vëzhgimit në Terren mbi Rrjedhën Ujore të Baseneve të Lumenjve
04 Oct, 2023
Instrumenti i vlerësimit të cilësisë së rrjedhës së lumit është një produkt i çertifikuar dhe i hartuar nga Shërbimi Amerikan i Pyjeve (USFS), agjenci ekzekutive federale pranë Administratës Amerikane të Bujqësisë (USDA). Ky instrument u vjen në ndihmë komuniteteve dhe studiuesve, që përmes një vlerësimi paraprak të gjendjes së rrjedhave ujore dhe brigjeve të tyre, të sinjalizojnë autoritetet përkatëse mbi rastet e ndikimeve ndotëse. Ai ndihmon përfshirjen e komuniteteve në proceset vendimmarrëse të lidhura me menaxhimin dhe mirëqeverisjen e burimeve ujore në nivelin vendor.
Në bashkitë dhe qarqet ku projekti është duke u zbatuar, në fokus të diskutimeve ka qenë edhe menaxhimi i burimeve të shumta ujore, si dhe aksesi i komuniteteve në këto burime. Në këtë aspekt, pajisja e këtyre komuniteteve, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejtë me strukturat përgjegjëse të administratës vendore, me një instrument të tillë, përbën një element të domosdoshëm dhe plotësues të përvojës sonë, veçanërisht pas aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive të OSHC-ve mjedisore lokale, për të vlerësuar vlerën financiare të aseteve natyrore, si dhe mirë-administruar burimet ujore. Ndotja e lumenjve përbën një shqetësim të vazhdueshëm, jo vetëm se ato përfaqësojnë një burim natyror, nga ku varet ekonomia vendore, por edhe për cilësinë e ekosistemeve ujore dhe të shërbimeve që ato ofrojnë, si pjesë integrale e pasurive natyrore të vendit.
Modeli më i përshtatshëm, për një menaxhim të mirë të ujit është administrimi, i bazuar në pellgun ujëmbledhës të lumit, që është dhe njësia natyrore gjeografike dhe hidrologjike e tij dhe jo në menaxhimin sipas kufijve administrativë ose politikë të njësive, përmes të cilave kalon apo ndodhet një burim ujor.