Raporti Vjetor 2022
05 Feb, 2024
Përballja e vendit me emergjencat klimatike vazhdoi edhe në vitin 2022. Ndër to, mund të shquajmë rritjen e vazhdueshme të temperaturave mesatare, si dhe shfaqjen e kushteve atmosferike ekstreme për sa i përket thatësirës dhe zjarreve, në shumë rajone të vendit. Ndikimi i ndryshimit të klimës mbi këto ngjarje ekstreme është shoqëruar me presion të shtuar ndaj ekosistemeve, bujqësisë dhe burimeve ujore. Për më tepër, rritja e nivelit të detit vazhdon të kërcënojë komunitetet bregdetare, duke shkaktuar përmbytje dhe përshpejtuar erozionin në disa prej segmenteve më të ndjeshme përgjatë ultësirës perëndimore. Përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike në nivel ndërkombëtar përparuan me ngadalësi edhe në vitin 2022. Pavarësisht Marrëveshjes së Parisit dhe angazhimeve të ndryshme për klimën, shumica e ndotësve dhe shkarkuesve më të mëdhenj u përballën me pengesa në përmbushjen e objektivave të tyre të reduktimit. Mungesa e bashkërendimit dhe angazhimit në nivel global vazhdon të dëmtojë edhe përpjekjet lokale, teksa objektivi për të mos e tejkaluar pragun prej 1.5°C mbi nivelet para-industriale bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përmbushur. Po kështu, viti 2022 ishte i pasur me diskutime rreth masave përshtatëse dhe strategjive për nxitjen e tyre, duke vënë dhe njëherë theksin te nevoja për investime që mbështesin aftësinë përballuese të komuniteteve përballë pasojave të pashmangshme të ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore. Ne ju bashkuam të gjitha proceseve të lartpërmendura, duke kontribuar ndër të tjera drejt:
- Mbështetjes së 12 ndërmarrjeve të gjelbra të udhëhequra nga gratë, me gjurmë karboni thuajse zero, të cilat përdorin zinxhirë furnizues vendas dhe përbërës organikë në proceset e tyre të prodhimit. Këto sipërmarrëse morën mbështetje financiare, teknologjiko-logjistike, si dhe përfituan vizibilitet për të përmirësuar shtrirjen e tyre në tregun lokal dhe atë kombëtar, për të rritur kapacitetet e punësimit, si dhe për të promovuar modele të qëndrueshme biznesi;
- Rishikimit të Draft-Strategjisë Kombëtare të Zvogëlimit të Riskut nga Fatkeqësitë (D-SKZRF) 2023-2030 dhe zhvillimit të rekomandimeve të nevojshme për integrimin e konsideratave gjinore dhe atyre të cenueshmërisë në strukturën e saj, duke garantuar kësisoj përputhshmërinë e saj me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Kuadri Sendai për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (KSZRF);
- Zbatimit të dhjetëra aktiviteteve në kuadër të kornizave të programeve të ndryshme me OSHC-të lokale dhe kombëtare, gazetarë, akademikë dhe studiues, mësues shkollash, gra dhe vajza me përkatësi nga grupimet e cenueshme, persona me aftësi të kufizuara, si dhe të rinj dhe nxënës në në disa prej komuniteteve që përballen me sfida (dëmtime nga tërmeti i madh i vitit 2019, thatësira, përmbytje, zjarre, çështje të menaxhimit të mbetjeve, krime dhe kundërvajtje të tjera mjedisore, ndotje, etj.), duke përfshirë Durrësin, Kamzën, Lezhën, Krujën, Vorën, Shkodrën, Pogradecin, Tepelenën, Vlorën, Kukësin, etj.
- Drejtimit të Sekretariatit Teknik të Grupit Këshillimor kundër Krimit Mjedisor (GKKKM), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Qeverisjes Mjedisore në Shqipëri”, mbështetur dhe financuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. REC Shqipëri ka kontribuar në raportime të shumta për kundërvajtje mjedisore dhe krime të kryera në Shqipëri, si dhe organizimin e vizitave në terren me anëtarët e GKKKM-së dhe aktorë të tjerë të nivelit kombëtar dhe lokal në të gjithë vendin.
- Mikpritjes së Konferencës së Liderëve Lokalë të Klimës në Shqipëri (e cila solli në qendër të vëmendjes për herë të parë betejat lokale), me përfaqësim nga selia ndërkombëtare dhe evropiane e “Climate Reality Project”.
- Kontributit në certifikimin e më shumë se 150 mësuesve dhe trajnerëve të institucioneve të arsimit fillor dhe të mesëm në të gjithë vendin në fushën e arsimit për zhvillim të qëndrueshëm, të cilët përsëritën aktivitete me më shumë se 400 nxënës në shkollat në të gjithë vendin.