Diferencat Gjinore dhe Pjesëmarrja Qytetare e Komuniteteve Vendore në Informimin Mjedisor
15 May, 2023

Themelimi i një sistemi operacional të menaxhimit dhe monitorimit të informacionit mjedisor (EIMMS) me fokus në biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe degradimin e tokës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të
forcuar kapacitetin për monitorimin e mjedisit dhe menaxhimin e informacionit në Shqipëri.
Ky sistem i monitorimit mjedisor duhet të integrohet nëpërmjet institucioneve qeveritare përkatëse dhe të përdoren standartet ndërkombëtare për monitorim në lidhje me treguesit e zhvillimit, grumbullimin e të dhënave, analizimin dhe politikëbërjen. Është e nevojshme që e gjitha kjo të ndërtohet bazuar në kapacitetet ekzistuese teknike dhe institucionale në Shqipëri për të përshtatur çështjet e menaxhimit
dhe monitorimit me prioritetet globale të monitorimit dhe raportimit. Kuptimi i qartë dhe njohja më e plotë e Konventave të Rio-s dhe e Marrëveshjeve Shumëpalëshe për Mjedisin çojnë në realizimin më të mirë të kërkesave për raportimin e këtyre detyrimeve ndërkombëtare dhe hedhin themelet për një Zhvillim të Qëndrueshëm përmes politikave të mirë-informuara mjedisore.
Ky Raport synon të paraqesë një rishikim të përgjithshëm të politikave kombëtare gjinore dhe të angazhimeve në lidhje me tre MShM, duke nxjerrë në pah rolin e grave dhe të burrave në një vendimmarrje më të mirëinformuar lidhur me mjedisin në familje dhe në komunitet. Rekomandimet e dhëna synojnë të theksojnë rëndësinë e të kuptuarit se si rolet e burrave dhe të grave dhe marrëdhëniet gjinore ndryshojnë dhe mund të plotësojnë njëra-tjetrën kur përballen me ndryshimet klimatike, shkretëtirëzimin e tokës dhe biodiversitetin. Nevoja për të siguruar planifikimin e pjesëmarrjes, metodat e zbatimit dhe të monitorimit, të përshtatshme për të nxitur gratë dhe burrat që të përfshihen në procese të ndryshme, del në pah në pjesë të ndryshme të këtij raporti dhe përmes rekomandimeve specifike.
Për Raportin e Plotë: https://www.undp.org/sites/g/files/zskgke326/files/migration/al/Raporti_Final_Gender_shqip_small.pdf